Shqipëria kryeson listat e shteteve më të forta ekonomikisht në botë. Kjo “mirakllë ov qeverejshën” u mundësua nga kryeministri Berisha dhe Këshilli i Ministrave.org të cilët punuan ditë e natë, më shumë natën se ditën, për ta bërë natën ditë.
Por mirëqenja e popullit tonë po vihet në vëmendjen e shteteve grabitqare në krizë, dhe që duan të përfitojnë nga rritja ekonomike e qeverisë, dmth e Shqipërisë. 
Rastet më flagrante janë ato të Gjykatës së Strasburgut e cila është vënë totalisht në shërbim të Edvin Ramës, dhe që i japin të drejtë pronarëve dhe ngarkojnë qeverinë të dëmshpërblejë. Kjo është aburde : të dëmshpërblesh pa shkaktuar dëm. Le pastaj raportet negative mbi punën e mrekullueshme të qeverisë.
Europa gjeloze për rritjen tonë ekonomike po tenton të na fundosë në mjerim.
Për tu dukur sikur qeveria nuk ka lekë, Këshilli i Ministrave.org mori miliona euro borxh, vetëm që Europa të na linte rehat por ata të mallkuar nuk ndalen.
Rritja ekonomike po përhapet në të gjithë Shqipërinë si njollë e keqe. Prandaj kryeministri Berisha ka menduar që përkohësisht ta frenojë rritjen ekonomike.
Këshilli i Ministrave.org ka kontaktuar me kompaninë BP, të cilët kanë pranuar të vijnë në Shqipëri për të mbyllur carjet në buxhet nga ku buron njolla e rritjes ekonomike që po pasuron shqiptarët. Berish Petroleum ose BP premton bllokimin e rritjes ekonomike brenda një kohe të shkurtër.
Sa për sy e faqe, për disa vjet shqiptarët do zhyten në borxhe, do marrin ushqime me lista dhe ti kthehen emigracionit. Madje edhe sikur të futeshim serish nëpër ambasada nuk është ide e keqe. Pensionistët do të luajnë rolin e gjynahqarëve duke shitur lule dhe camcakëzë nga blloku. Rrogëtarët do të mbushin me pallavra lagjet ku banojnë sikur gjasme gjoja jemi keq nga jetesa.
Këshilli i Ministrave.org garanton se nëse hiqemi si varfanjakë, Europa do na lërë rehat për ca kohë dhe nuk do na cajë veshët me vendime gjykatash strasburgiane, raporte negative, e më the e të thashë.
Këshilli i Ministrave.org i lutet popullit shqiptar që të hiqet sikur është i varfër dhe në emër të kryeministrit fuqiplotë Sali Berisha e falenderon për mirëkuptimin.
























Powered by jWarlock jwFacebook Comments